06/03/2026
Një ditë e veçantë për Teta Idën
Teta Ida, një nga anëtaret më të dashura të grupit tonë, festoi për herë të parë ditëlindjen e saj mes nesh, një ditëlindje që këtë vit kishte edhe një rëndësi të veçantë, pasi përkonte me një jubile të bukur. Ajo kishte vendosur ta shtynte festën derisa të merrte dokumentet e saj dhe sot patëm kënaqësinë të festonim së bashku dy gëzime në një ditë.
Teta Ida është një zonjë e dashur, gjithmonë e buzëqeshur, luftarake dhe plot energji. E mbajtur jashtëzakonisht mirë për moshën e saj – ende ecën me taka të larta – ajo vazhdon të jetë një frymëzim për të gjithë ne. Me zemërgjerësinë që e karakterizon, ajo kujdeset dhe mbështet vazhdimisht një anëtare tjetër të grupit, e cila përballet me sfida shëndetësore.
Sot na vizituan dhe aktivistja e palodhur e komunitetit tonë, Zonja Ruki Kondaj (një promovuese e mire egrupit )së bashku me bashkëshortin e saj Zotin Fatmir, si dhe shume e ëmbla Brunilda Brari nga European Patisseries. Te tre i falenderojmë me përzemërsi për vizitën dhe qe mundësuan drekën dhe ëmbëlsirën për të pranishmit.
Natyrisht, në një ditë kaq festive nuk mund të mungonte as Gjovalin Çuni, kitaristi i njohur dhe shumë i dashur i grupit tonë, i cili i dha atmosferës një gjallëri të veçantë.
Mes këngëve dhe valleve nga të gjitha trevat shqiptare, mes të qeshurave, urimeve dhe emocioneve të bukura, kaluam disa orë të paharrueshme. Momente të tilla na kujtojnë se grupi ynë është më shumë se një vendtakim – është një familje ku ndajmë gëzimet, mbështesim njëri-tjetrin dhe krijojmë kujtime që mbeten gjatë në zemrat tona.
Edhe një herë, urime Teta Idës për ditëlindjen dhe për këtë kapitull të ri të jetës së saj! I urojmë shëndet, lumturi dhe shumë vite të tjera të mbushura me energjinë, buzëqeshjen dhe zemrën e madhe që e bëjnë kaq të veçantë.