22/03/2023
Pasi që nesër fillon muaji i shenjtë i Ramazanit dhe sot është shujta e parë e Syfyrit, mësoni se si mund të ushqeheni shëndetshëm gjatë kësaj shujte. Është shumë me rëndësi që Syfyri të përmbajë të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme në mënyrë që të na mbajë deri në Iftar.
Disa komponentë të rëndësishëm të Syfyrit janë:
1. Proteinat – ushqimet e pasura me proteina na mbajnë ngopur për një kohë më të gjatë, që është shumë e rëndësishme gjatë agjërimit. Mundohuni të zgjedhni nga burimet me proteina që nuk përmbajnë sasi të lartë të kripës, për të parandaluar etjen. Disa nga këto ushqime mund të jenë: vezët e ziera, gjiza, kosi apo qumështi.
2. Karbohidratet komplekse – ushqimet e pasura me karbohidrate komplekse j*pin energji dhe fibra dietetike, të cilat rregullojnë nivelet e sheqerit në gjak. Ushqimet që mund të përdorni janë: tërshëra, buka e zezë, buka e thekur integrale apo përzierjet e drithërave(muesli apo granola).
3. Yndyrërat e shëndetshme – ushqimet e pasura me yndyrë ngadalësojnë zbrazjen e stomakut, prandaj konsumimi i tyre ka efekt të rëndësishëm në ngopje gjatë agjërimit. Evitoni konsumimin e yndyrës në formë të ushqimeve të fërguara gjatë Syfyrit, për shkak se kjo mund të shkaktojë etje gjatë ditës. Preferoni yndyrërat e shëndetshme si gjalpin e arroreve (tahini, gjalpë kikiriku apo bademi), avokadon, vajin e ullirit, frutat arrore apo farat e ndryshme.
4. Frutat apo perimet – mundësojnë marrjen e vitaminave dhe mineraleve të cilat na j*pin energji. Gjithashtu, për shkak se përmbajnë sasi të lartë të ujit, ndihmojnë në hidratim, duke ulur kështu etjen gjatë agjërimit. Merrni më shumë nga frutat dhe perimet që përmbajnë sasi të lartë të ujit si: spinaqi, selinoja, trangulli, drëdhëzat, portokalli dhe domatja, por shtoni edhe nga ato që përmbajnë sasi më të lartë të sheqerit si bananja, hurmat apo frutat e thata, në mënyrë që të ndiheni më energjik gjatë ditës.
Ju uroj agjërim të lehtë dhe të pranuar, paqe dhe shëndet!