08/09/2026
📌Përmirësimi i cilësisë së shërbimit në Kujdesin Shëndetësor Parësor
Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimit në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP), sot, në ambientet e NJVKSH Gjirokastër, nën drejtimin e Drejtorit, z. Ermir Mahilaj, u zhvillua një takim pune me kryeinfermierët dhe përfaqësuesit e shërbimit të kujdesit infermieristik të Qendrave Shëndetësore (QSH) të rrethit.
Gjatë takimit u diskutua mbi një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me organizimin, ofrimin dhe monitorimin e shërbimeve shëndetësore, me fokus rritjen e cilësisë dhe garantimin e aksesit të popullatës në shërbimet e KSHP.
Ndër temat kryesore të trajtuara ishin:
* Respektimi i orarit, disiplinës dhe prezencës në punë nga personeli infermieristik në QSH dhe ambulanca.
* Planifikimi, organizimi, koordinimi dhe menaxhimi i ofrimit të kontrollit shëndetësor falas për personat 35+, në bashkëpunim me OSHIKSH.
* Ofrimi me cilësi dhe në përputhje me standardet i kujdesit mjekësor në banesë për personat që, për arsye shëndetësore, e kanë të pamundur të marrin shërbimin në QSH.
* Ndjekja dhe kontrolli në vazhdimësi i pacientëve kronikë, si dhe zbatimi korrekt i sistemit të referimit te mjekët specialistë.
* Dokumentimi korrekt i të dhënave në sistemin e informacionit shëndetësor dhe respektimi i afateve për raportimin e të dhënave biostatistikore që lidhen me aktivitetin profesional të QSH-ve.
* Ofrimi i kujdesit parandalues për vajzat dhe gratë mbi 35 vjeç, përfshirë kontrollet e gjirit, aplikimin periodik të mamografisë dhe kryerjen e testit depistues HPV për evidentimin e pranisë së virusit të papillomës humane, faktor i rëndësishëm në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.
* Marrja e masave për përgatitjen e QSH-ve për stinën e vjeshtës dhe problematikat shëndetësore shoqëruese, si dhe sigurimi i medikamenteve të listës së urgjencës.
* Organizimi, monitorimi dhe kontrolli higjieno-sanitar i institucioneve arsimore, si dhe marrja e masave të posaçme për realizimin e programeve depistuese të shikimit dhe skoliozës te fëmijët e moshës 6–15 vjeç.
* Garantimi i menaxhimit dhe ofrimit në çdo kohë të shërbimit të KSHP për popullatën, nga personeli infermieror, për çdo nevojë shëndetësore të paraqitur.
Në fokus të takimit ishte gjithashtu forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet të gjitha strukturave shëndetësore në rreth, me qëllim rritjen e efektivitetit të shërbimeve, përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe ruajtjen e përmirësimin e vazhdueshëm të indikatorëve të shëndetit publik në nivel komunitar.
NJVKSH Gjirokastër vijon të mbetet e angazhuar për garantimin e një shërbimi shëndetësor cilësor, të aksesueshëm dhe në përputhje me standardet për të gjithë komunitetin.