28/09/2020
Çfarë duhet të dini për të menaxhuar sa më mirë Menopauzën
Për një grua të moshës 40-50 vjeç është momenti i duhur të nisë kontrollet mjekësore që duhet të kryejë gjatë menopauzës, të marrë informacionin e duhur mbi këtë fazë të jetës, sidomos mbi stilin e jetës dhe regjimin ushqimor që duhet të ndjekë.
✔Nisni të kryeni kontrollet mjekësore bazë
Sigurohuni që të kryeni në mënyrë të rregullt Mamografinë, ekzaminimi që ndihmon në parandalimin e kancerit të gjirit. Bëni një kontroll të nivelit të diabetit, patologjitë e tiroides, si dhe zorrën e trashë.
Kryeni rregullisht pap-test, ekzaminimi që ndihmon në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
✔Kujdesuni për shëndetin e kockave
Nëse më parë nuk i keni kushtuar rëndësi shëndetit të kockave tashmë është koha e duhur të filloni të mendoni seriozisht për to. Menopauza është edhe koha që të parandaloni shfaqjen e osteoporozës, një sëmundje që bashkëshoqëron menopauzën, që çon në dobësimin e kockave.
Nëse në dietën tuaj ushqimore nuk konsumoni mjaftueshëm produktet e qumështit atëherë duhet të merrni suplemente të kalciumit dhe Vitaminës D. Vitamina D është “çelësi” që çliron kalciumin në organizëm dhe e ndihmon atë që ta përthithë më lehtësisht. Konsultohuni me mjekun nëse është koha që të kryeni ekzaminimin DEXA, ekzaminim që mat densitetin e kockave dhe ndihmon në diagnostikimin e osteoporozës edhe asaj të hershme. Ndërkohë nëse jeni nën 65 vjeç dhe jeni post menopauzë atëherë DEXA ju nevojitet vetëm në rast se keni faktorë rreziku të tillë si: keni pësuar ndonjë frakturë, jeni duhanpirëse, jeni nën peshë, pini shumë alkool apo vuani nga artriti reumatoid.