01/11/2020
Të dashur studentë,
Të nderuar anëtarë të stafit të Universitetit të Sporteve të Tiranës,
Më lejoni t’ju uroj suksese në fillimin e vitit akademik 2020-2021.
Fillojmë një vit të ri akademik në rrethana jonormale, për shkak të pandemisë globale COVID-19, rrethana të cilat na detyrojnë të riorganizohemi që në fillim të procesit mësimor duke kaluar në sistemin online të komunikimit.
Ky sistem na angazhon që ta përballojmë procesin si një sfidë, si për stafin akademik ashtu edhe për studentët e të gjitha cikleve të studimit, duke na detyruar që të sigurojmë cilësinë e procesit mësimor në kushte virtuale.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për të gjitha vështirësitë që po krijohen në fillim të këtij sezoni dhe gjej këtu rastin të shpreh zotimin dhe mbështetjen e plotë të të gjithë stafit të universitetit tonë, në mënyrë që kjo periudhë të jetë sa me frytdhënëse dhe e thjeshtë për ju të dashur studentë.
Ju siguroj, që në çdo këndvështrim e në çdo rrethanë, se institucioni ynë ka marrë të gjitha masat e nevojshme, për një nisje sa më të mirë e të përshtatshme të të gjithë procesit mësimor.
Do të dëshiroja shumë që ky vit të na gjente me një fillim normal e me një komunikim të drejtëpërdrejtë, por, me keqardhje, ky takim i parë me ju duhet të jetë vetëm online.
Në emër të Universitetit të Sporteve të Tiranës dhe në detyrën e Rektorit të të vetmit universitet të sporteve në Shqipëri, dëshiroj t'ju përcjell përzemërsisht urimet më të mira për një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!
Dua t’ju drejtohem kolegëve të stafit akademik, ndihmës akademik, të administratës dhe të gjithë punonjësve të universitetit tonë, që të jemi të përqëndruar dhe të organizuar dhe ta fillojmë këtë proces me përgjegjësi, duke krijuar një sinergji pozitive dhe besim, se së bashku do të përballojmë çdo të papritur që do të na sjellë kjo situatë e pazakontë dhe do ta çojmë deri në fund drejt realizimit të objektivave dhe detyrimeve që ka çdo vit akademik.
Në përfundim të këtij mesazhi, ju inkurajoj që në asnjë moment të mos lini pas dore respektimin e masave anti-COVID-19, në mënyrë që të kthehemi sa më shpejt bashkë e të shëndetshëm në auditore dhe në të gjitha mjediset tona sportive.
Me konsideratë,
Prof.Dr. Agron KASA
Rektor i Universitetit të Sporteve të Tiranës