30/06/2026
THIRRJE PUBLIKE PËR NDËRHYRJE URGJENTE NË AKSET KOMBËTARE
I bëjmë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë me urgjencë në akset kombëtare për evidentimin dhe eliminimin e pikave të rrezikut, të cilat përbëjnë kërcënim real për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës.
Një ndër problematikat më shqetësuese mbetet prania e barrierave mbrojtëse të papërfunduara, të ndërprera në mënyrë të pasigurt ose të instaluara në mënyrë krejtësisht të gabuar. Në këto kushte, barriera që duhet të shërbejë për mbrojtjen e jetës, humbet funksionin e saj dhe kthehet në një rrezik të drejtpërdrejtë, madje në një kurth fatal në rast daljeje nga rruga të automjeteve.
Rasti i evidentuar në foto i përket një instalimi të tillë në mbikalimin e Kasharit, ne drejtim të Rinasit, ku barriera mbrojtëse paraqitet e vendosur në mënyrë të papërshtatshme dhe potencialisht shumë e rrezikshme. Në vend që të orientojë, amortizojë apo mbrojë automjetin në rast aksidenti, ajo mund të shkaktojë pasoja edhe më të rënda për drejtuesin dhe pasagjerët.
Siguria rrugore nuk mund të trajtohet si çështje dytësore apo estetike. Çdo element i infrastrukturës rrugore, veçanërisht barrierat mbrojtëse, duhet të jetë e projektuar, e instaluar dhe e mirëmbajtur sipas standardeve teknike të sigurisë.
Prandaj kërkojmë: inspektim të menjëhershëm të akseve kombëtare; identifikim të barrierave të papërfunduara ose të vendosura gabim; ndërhyrje urgjente për korrigjimin e tyre;
përgjegjësi institucionale për çdo element infrastrukture që rrezikon jetën e qytetarëve.
Një barrierë e gabuar nuk është thjesht një defekt në rrugë.
Është një rrezik që pritet të ndodhë.
Jeta e qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut.
Parandalimi sot shpëton jetë nesër.