28/04/2026
Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni mban Kuvendin Qendror, zgjidhen organet e reja drejtuese
Me datë 27.04.2026 u mbajt mbledhja e Kuvendit Qendror të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni, ku morën pjesë kuvendarët e deleguar nga degët e qyteteve të ndryshme të vendit. Në këtë takim u diskutua mbi organizimin dhe drejtimin e mëtejshëm të shoqatës, si dhe u morën vendime kyçe për strukturat udhëheqëse.
Në kuadër të procedurave statutare, Kuvendi zgjodhi kryetarin dhe nënkryetarin e tij. Për kryetar të Kuvendit u zgjodh Dr. Gojart Polisi, ndërsa për nënkryetar Doc. Dr. Nadir Ajruli. Gjithashtu, u bë verifikimi dhe konfirmimi i mandateve të anëtarëve të Kryesisë Qendrore, të deleguar nga degët përkatëse.
Pas konstituimit, Kryesia Qendrore vijoi me zgjedhjen e organeve drejtuese të shoqatës. Me votim të hapur, për kryetar të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni nga ana e kryesisë qëndrore u zgjodh Doc. Dr. Bekim Ismaili. Po ashtu, për zv. kryetar u emërua Prim. Dr. Shenasi Jusufi, ndërsa funksionin e sekretares do ta ushtrojë Dr. Alsada Veseli-Abazi.
Një falënderim i veçantë për ish-kryetarin, Prof. Dr. Nevzat Elezi, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe angazhimin e palodhur ndër vite në forcimin dhe zhvillimin e shoqatës. Puna dhe përkushtimi i tij kanë lënë gjurmë të rëndësishme në avancimin e bashkëpunimit profesional dhe në ngritjen e rolit të mjekëve shqiptarë në vend.