10/06/2026
Sot dt 10.06.2026 Komiteti për Cilësi dhe Siguri të Shërbimeve Shëndetësore në QKMF Fushë Kosovë mbajti takimin e rregullt, gjatë të cilit u prezantua auditi klinik me temën “Kujdesi shëndetësor në vizitat shtëpiake dhe kujdesi paliativ në QKMF Fushë Kosovë”. Po ashtu, u prezantua edhe draft-rregullorja për organizimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit paliativ dhe vizitave shtëpiake.
QKMF Fushë Kosovë renditet ndër qendrat që ofrojnë numrin më të madh të vizitave shtëpiake dhe shërbimeve të kujdesit paliativ. Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të kërkesave për këto shërbime, institucioni ynë synon avancimin e tyre të mëtejshëm në përputhje me standardet profesionale dhe praktikat më të mira të kujdesit shëndetësor.
Gjetjet e auditit klinik dhe rregullorja në proces miratimi do të kontribuojnë në standardizimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të këtij shërbimi, duke shfrytëzuar në mënyrë optimale kapacitetet profesionale dhe organizative të QKMF-së.
Qëllimi kryesor mbetet ofrimi i kujdesit cilësor, të sigurt dhe gjithëpërfshirës për pacientët që kanë nevojë për vizita shtëpiake dhe kujdes paliativ, duke përfshirë aktivisht edhe familjen në planifikimin dhe realizimin e kujdesit, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies së tyre.
Ky angazhim dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të QKMF Fushë Kosovë ndaj zhvillimit të shërbimeve të orientuara drejt nevojave të pacientit dhe forcimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor në komunitet.