14/02/2026
13 Shkurti – Dita Botërore e Radios, Zëri që nuk hesht kurrë
Çdo 13 shkurt, bota feston Ditën Botërore të Radios, një medium që prej më shumë se një shekulli ka qenë shoqëruesi më besnik i njerëzimit në informim, kulturë dhe emocione. Radioja lindi në fillim të shekullit XX me transmetime të thjeshta eksperimentale, duke u kthyer shpejt në dritaren kryesore të botës për miliona njerëz, sidomos në kohë lufte, krize dhe ndryshimesh të mëdha shoqërore. Me kalimin e viteve, ajo u transformua nga valët analoge në transmetime digjitale, platforma online dhe podcast, por pa humbur kurrë thelbin: fuqinë e zërit të drejtpërdrejtë. Radioja mbetet sot një nga mediat më të besueshme dhe më të afërta me publikun, sepse flet thjesht, sinqerisht dhe në kohë reale.
Radio Kontakt e sheh këtë ditë si një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin përgjatë viteve. Radio Kontakt nisi transmetimet në vitin 1997, duke u bërë një nga radiot e para private në Shqipëri dhe një zë i rëndësishëm në peizazhin mediatik shqiptar e më gjerë. Gjatë dy dekadave, kjo radio u shndërrua në një hapësirë ku zëri i dëgjuesit dhe i komunitetit mori rëndësi, duke lidhur njerëzit përmes valëve të mikrofonit. Radio Kontakt ka qenë dhe mbetet një shkollë për dhjetëra gazetarë e profesionistë që sot janë emra të njohur në media, si dhe një hapësirë ku fjala e lirë ka gjetur gjithmonë vend. Historia jonë është plot sfida, risi dhe bashkëpunime me emra të shumtë të medias. Ndiqni rrëfimin e rrugëtimit të radios në dokumentarin “Fuqia e fjalës së lirë”.
🔗Klikoni për të parë dokumentarin: https://youtu.be/A7JlBw0iZbE?si=imrYYtDrA6xCgPvj