06/07/2026
Reagim Zyrtar – Begolli Pharmacy
Me keqardhje jam i detyruar të bëj këtë reagim zyrtar lidhur me publikimin e një artikulli të pabazuar dhe të paverifikuar, i cili ka cenuar reputacionin e biznesit tonë.
Begolli Pharmacy është një biznes individual që vepron me përkushtim të lartë profesional dhe etik ndaj pacientëve dhe klientëve të tij. Unë, Vigan Begolli, farmacist dhe njëkohësisht pronar i këtij biznesi, ndjehem i zhgënjyer nga ky publikim, i cili është realizuar pa verifikim të fakteve dhe në një mënyrë që krijon përshtypjen e dëmtimit të qëllimshëm të imazhit të biznesit tim, për të cilin kam investuar me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi ndër vite.
Sic dëshmohet qartë nga procesverbali i Inspektoratit Farmaceutik, të gjitha veprimet janë kryer në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Sipas dokumentacionit zyrtar, vlera e furnizimit të produktit ka qenë 493 euro, ndërsa vlera e sh*tjes 548.50 euro. Edhe pse legjislacioni nuk përcakton marzhë të caktuar fitimi për këtë kategori te pajisjeve, kam zgjedhur që fitimi të jetë minimal, duke marr parasysh parimet etike dhe profesionale që karakterizojnë veprimtarinë tonë.
Shpresojmë që në të ardhmen pacientët të mos detyrohen të blejnë pajisje të tilla me shpenzimet e tyre, por ato tu sigurohen nga institucionet përkatëse, sipas nevojave dhe të drejtave që u takojnë.
Begolli Pharmacy mbetet e hapur për çdo klient dhe pacient që dëshiron të informohet, të parashtrojë pyetje, të kërkojë sqarime apo të paraqesë ankesa lidhur me produktet dhe çmimet tona. Të gjitha produktet, furnizimet dhe çmimet janë të regjistruara dhe të raportuara në institucionet kompetente, në përputhje me kërkesat ligjore.
Edhe një herë, u kërkojmë falje klientëve dhe pacientëve tanë besnikë për nevojën e këtij reagimi publik. Ky sqarim është bërë vetëm për të mbrojtur të vërtetën dhe integritetin profesional të biznesit tonë përballë pretendimeve të publikuara pa bazë faktike dhe pa respektimin e standardeve të verifikimit.
Me respekt,
Mr. Ph. Vigan Begolli
Begolli Pharmacy.